Sado e pasur të jetë kultura njerëzore, sado e madhe të jetë eksperienca e një shoqërie, sado ndërtesa grandioze e monumente gjigande të ketë ndërtuar një civilizim, sado prestigjioze të jenë shkollat e një kombi, dhe sado mësues të mirë të ketë një person, asnjëra nga këto nuk është imune nga të metat, nga subjektiviteti, nga injoranca, apo motivet e fshehta apo djallëzore.
Të jetë si të jetë puna, nuk mund t’i besohet një kulture plotësisht si burim diturie apo si standard i të përsosurës sepse në të ka, duam apo nuk duam ne, elementë që kanë hyrë për arsye nga më të ndryshmet: politike, ekonomike, pushtuese, shfrytëzuese, apo edhe djallëzore.
Për shembull, shoqëria arabe përpara ardhjes së Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) shquhej për shumë cilësi të mira, për bujarinë e pashembullt, për besën, për guximin dhe për mbajtjen e fjalës. Mirëpo, të njejtët arabë përfshiheshin në luftëra shkatërrese mes vete për arsye banale – sepse kështu ua impononte kultura; të njejtët arabë bujarë e fisnikë – të paktën disa prej tyre – mund t’i varrosnin vajzat e tyre të gjalla nga presioni i kulturës së gabuar, apo të njejtët njerëz që ishin gati të fillonin një luftë, që mund të zgjaste me dekada, për vrasjen e një kali, ishin po të njejtët njerëz që praktikonin forma martesash nga më denigrueset, si për shembull, lejimin e bashkëshortes të flinte me një burrë fisnik e të ngelte shtatëzanë me të me qëllim që fëmija të kishte një prejardhje të mirë.
Të njejtat absurditete i gjejmë edhe në kohën tonë. Nga një anë, njeriu mburret se ka arritur një gradë shumë të lartë zhvillimi në shkencë, teknologji, në ndërtimin e infrastrukturës anembanë botës, por, nga ana tjetër, po e njejta shoqëri njerëzore ka arritur gradën më të lartë të degjenerimit, imoralitetit, shtypjes, shfrytëzimit ekonomik, prishjes së tabuve, në përhapjen e fenomenit të të pastrehëve, dhe vrasjeve e shkatërrimit të kombeve në mënyrë krejt absurde – duke mos përjashtuar nga vrasjet makabre as gratë e as fëmijët, siç po ndodh në Palestinë.
Pa ekzistencën e një standardi objektiv, njeriu mund të përfundojë në një gjendje të mjeruar dhe të mos e kuptoj një gjë të tillë sepse mësohet me të, apo se kultura mbizotëruese nuk e qorton një gjë të tillë. Njeriu mund të arrijë deri në atë shkallë sa të hajë mish njeriu dhe të mos e konsiderojë si një gjë të neveritshme.
I njejti problem ekziston edhe me cilësitë morale që në pamje të parë të gjithë biem dakord se janë të mira, si trimëria, besa, bujaria, guximi, durimi, këmbëngulja, qëndresa apo edhe mençuria, por problemi qëndron tek definicioni i tyre dhe konturet e tyre në praktikë. Atë çfarë një kulturë mund ta konsiderojë bujari, një tjetër e çuan shpërdorim, ajo çfarë diku mund të konsiderohet mençuri, mund të jetë naivitet, sidomos duke marrë parasysh se ata të cilët na mësojnë, ata të cilët e standartizojnë kulturën, apo ata të cilët serviret si modele në shoqëri mund të kenë motivime politike apo interesa ekonomike.
Sot, njeri i suksesshëm konsiderohet një njeri që ka ndërtuar një shtëpi të madhe, që ka një punë ku paguhet mirë, që ka para për të shkuar në pushime një apo dy herë në vit paravësisht se çfarë pune bën, nëse ka dinjitet apo jo, nëse iu bën padrejtësi të tjerëve apo jo, nëse pret në besë të tjerët, nëse punon edhe si xhelat, apo edhe nëse punon si skllav – si njeri pa asnjë vlerë morale. Në sytë e një shoqërie të verbuar, ky quhet i suksesshëm sepse ky është modeli që serviret në shoqëri për arsyet nga më të ndryshmet, duke përfshirë ato politike.
Pikërisht, këtu vjen roli i Kur’anit, i cili ofron standardin dhe kriterin e dallimit të vërtetës nga e kota, të gjërave që kanë prapavijë politike me cilësitë e mira dhe me modelet e duhura që i duhet një njeriu në jetë.
Kur’ani ofron të gjithë paketën e vlerave morale dhe arsenalin e mësimeve që i duhen një njeriu për të përsosur karakterin e tij, për t’u ngritur lartë në vlera, për ta shpëtuar atë nga shfrytëzimi i armiqve, dhe për ta përgaditur që të arrij suksesin më të lartë të mundshëm në këtë jetë, qoftë sukses shpirtëror, e qoftë sukses ekonomik, shoqëror, apo edhe psikologjik, e sigurisht për të arritur edhe suksesin në botën tjetër.
Duke qënë libër i zbritur nga vetë Zoti për njerëzimin, Kur’ani është i dëlirë nga subjektiviteti njerëzor, nga motivet e fshehta e djallëzore që karakterizojnë njerëzit, dhe nga injoranca që zë vend në shoqëri pavarësisht se njerëzit mësohen me të.
Kur’ani jep modelin e përsosjes dhe e pajis besimtarin me mësimet dhe armët më të mira për t’u mbrojtur – për t’u mbrojtur nga armiqtë, nga modelet e gabuara, nga interesat e liga njerëzore e politike.
Kur’ani e mëson besimtarin se ç’është bujaria e ç’është shpërdorimi, ç’është bashkëpunimi e ç’është shfrytëzimi, ashtu sikurse i mëson besimtarit përmes shembujsh, historishë, apo këshillave të drejtëpërdrejta hyjnore për durimin, guximin, mençurinë, falenderimin, dinjitetin, shfrytëzimin e kohës e të mundësive në përgjithësi, për nderin, devotshmërinë, butësinë, për njohjen e vetvetes, e mbi të gjitha për njohjen e Krijuesit të tij – njohje e cila e shndërron atë në njeri krejt të ndryshëm.
Në suren el-Enbija – Profetët, Allahu e përmbledh këtë në një ajet të vetëm kur thotë,
“Vërtetë kemi zbritur tek ju një libër në të cilin ndodhet krenaria juaj; a nuk po mendoni?!” El-Enbija, 10.
لَقَدْ أَنزَلْنَا إِلَيْكُمْ كِتَابًا فِيهِ ذِكْرُكُمْ ۖ أَفَلَا تَعْقِلُونَ
Krenaria e njeriut ndodhet në Kur’an. Çdo gjë që e lartëson atë, që e bën me dinjitet, që i ofron modelin më të mirë, më të përsosur, që e shpëton nga shfrytëzimi i njerëzve dhe nënçmimi i tyre, që e pajis me armët më të mira morale për të mbijetuar në këtë botë, që i ofron rehatinë më të mirë shpirtërore, që i ofron modelin më të përsosur të drejtësisë, që i jep mësimet më përbledhëse të natyrës njerëzore, të djallëzisë së tyre, se cilët janë miqtë e cilët janë armiqtë, se cila është e mira e cila është e keqja, çdo gjë ndodhet aty.
Sado e pasur dhe e arrirë të jetë esperienca njerëzore dhe sado e përsosur të paraqitet një kulturë e caktuar, ajo nuk është imune nga elementë që kanë të bëjnë me interesat, me motivimet politike, me shfrytëzimin e njëri tjetrit, apo me kufizimin e mendjes njerëzore.
Kur’ani është i dëlirë nga të gjitha këto. Ai ofron standardin dhe modelin hyjnor për suksesin sepse “në të është krenaria juaj.”
Sabri Lushi
Mars, 2024