LOGIN
Home » BINDJA E VERBËR NDAJ PUSHTETIT: NJË PROBLEM BASHKËKOHOR I MUSLIMANËVE DHE SHKAKU I PËRÇARJES

BINDJA E VERBËR NDAJ PUSHTETIT: NJË PROBLEM BASHKËKOHOR I MUSLIMANËVE DHE SHKAKU I PËRÇARJES

by Kukes Post
0 comment

Përkundër asaj që predikohet se muslimanët po rebelohen kundër qeverive të tyre, apo perceptimit politik se në perëndim qytetarët janë të lirë, e madje inkurajohen, t’a kundërshtojnë pushtetin, besoj se realiteti është krejt i ndryshëm, shoqëria njerëzore po përballet me një konformizëm ndoshta të pa shumbullt, dhe sigurisht që politika botërore, dmth Perandoria Britanike, ka punuar për ta arritur këtë rezultat.

Feja islame nuk e ka lënë në harresë aspak adresimin e pushtetit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me të. Dijetarët e fesë kanë shkruajtur libra në lidhje me këtë aspekt të rëndësishëm të jetës sociale e politike. Ata ua kanë shpjeguar muslimanëve deri në qartësi të plotë se si të sillen me pushtetin, qoftë edhe kur ata përballen me padrejtësi apo me tirani.

Objektivat e fesë islame, të pushtetit, apo edhe të adresimit të pushtetit ndryshojnë nga objektivat e pushtetit sekularist britanik. Objektivat madhore të fesë islame janë: mbrojtja e fesë, e mendjes, e nderit (prejardhjes e familjes), pasurisë, dhe jetës. Gjithashtu, Islami nxit për unitet, dhe për dhënien përparësi të të mirës së përgjithme mbi atë personale. Islami nuk është feja e interesit personal, apo ideologji pragmatiste që fokusohet tek momenti. Islami nuk është as fe grupesh mafioze sekrete, as klubesh intelektuale që struken për të bërë plane; përkundrazi, feja islame është feja e transparencës, e qartësisë, dhe e themeleve të shëndosha ideologjike e doktrinore.

Rrjedhimisht, Kurani dhe tradita e Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i obligojnë besimtarët që të bashkohen, dhe ta konsiderojnë umetin si një trup të vetëm. Muslimani duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur që të bashkohet e të mos përçahet qoftë edhe duke lënë mënjanë interesat momentale personale apo padrejtësistë që i bëhen në nivel individual.

Pra, bashkimi, uniteti, interesi i përgjithshëm i muslimanëve mbi interesin personal, dhe mos rebelimi ndaj qeverive muslimane janë gjëra të padiskutueshme në fenë islame.

Problemi nuk qëndron aspak në aspektin parimor, por në aspektin praktik dhe në mos marrjen në konsideratë të realitetit politik, ashtu sikurse problemi qëndron në emërtimin në mënyrë subjektive të çështjeve politike sipas interesit. Për shembull, muslimanët mund ta quajnë bashkëpunim veprimet e tyre korruptive e të gabuara – gjëra që i bëjnë thjesht në emër të interesit të tyre personal, dhe e quajnë përçarje apo rebelim mos bërjne korrupsion apo mos bashkëpunimin në bazë korruptive.

Feja islame urdhëron për bashkëpunim, për unitet, dhe për bindje ndaj lidërshipit musliman (duhet theksuar: musliman) për hirë të të mirës së përgjithshme, e jo në emër të interesit personal.

Për ta kontekstualizuar diskutimin, duhet marrë parasysh se jetojnë nën një model qeveritar, në thelb i ngritur dhe i mirëmbajtur nga Perandoria Britanike. Çdo shtet sot aplikon këtë lloj modeli politik qeverisës, përfshirë edhe vendet muslimane të cilat pretendojnë se zbatojnë sheriatin apo se kanë ngritur flamurin e fesë. Kjo e vërtetë, pra modeli politik sekularist, është elefanti në dhomë dhe nuk mund të anashkalohet.

Sipas modelit qeverisës sekularist botëror, qeveria ka kontroll masiv, ndoshta unik në të gjithë historinë njerëzore, kjo edhe për arsye logjistike, siç janë mjetet e komunikimit, transporti, dhe përgjimi masiv i popullsisë.

Shteti modern kontrollon gjithçka: ekonominë, bizneset, ushtrinë, armët, shkencën, klerikët fetarë, arsimin, xhamiat e kishat, mediat, shtëpitë botuese, propagandën ideologjike, dhe mbi të gjitha, burimet natyrore. Në këtë kohë, kemi të bëjmë me një sistem politik shumë të fuqishëm, forca ushtarake e së cilit është e pakrahasueshme me rebelimin sporadik të qytetarëve.

Në të vërtetë, problemi politik me të cilin po përballemi nuk është se qytetarët nuk po i binden qeverisë, por krejt e kundërta, se qytetarët, përfshirë edhe muslimanët, janë të gatshëm që jo vetëm t’i binden në mënyrë të padrejtë shtetit, por të bashkëpunojnë me të me çdo kusht në mënyrë që të ecin përpara në karrierë, apo edhe të mbijetojnë.

Shteti modern e ka bazuar të gjithë pushtetin e tij në bashkëpunim sekret apo informal me çdo qytetar, ashtu sikurse i detyron njerëzit që të mbijetojnë apo të ecin përpara vetëm përmes rrugëve korruptive – kjo si mjet kontrolli e shantazhi për ta. Sistemi politik është i dizenjuar në atë mënyrë që thuajse e bën të pamundur jetesën përmes rrespektimit të ligjeve e rregullave.

Me fjalë të tjera, pushteti është kaq i fortë dhe kaq i sofistikuar që i detyron qytetarët t’i binden e t’i nënështrohen atij qoftë edhe me pahir. Pra, t’a refuzosh bashkëpunimin sekret me pushtetin – që është pushtet i korruptuar në thelb, ka kosto, aq më tepër që nuk flitet për stimulime. Nga vetë natyra, njeriu është konformist, e jo më në këtë kohë kur pushteti e penalizon ashpër të jetuarit me dinjitet e përmes rrugëve legale.

Shkurt: sfida më e madhe është se si ta refuzojmë bashkëpunimin me pushtetin, si ta ngremë jetën mbi themele të pavarura, si ta refuzojmë korrupsionin, si të mos bëhemi agjentë e spiunë të qeverive shkatërrimtare e djallëzore, dhe si t’i mbajmë lidhjet me sistemin politik vetëm në formë transparente e mbi baza ligjore.

Vetëm nëse një musliman, apo qoftë edhe një qytetar jo musliman, që e bazon jetën jo në bashkëpunim sekrekt e informal me shtetin, qoftë edhe shtete muslimane, që nuk bën marrëveshje me djallin, dmth, pushtetin, që nuk kërkon të jetojë me korrupsion, me anashkalim rregullash e kontratash, që nuk përfiton nga pushteti në mënyrë të padrejtë, vetëm në këtë rast ky qytetar është në gjendje ta ngre zërin kundër padrejtësisë e të jetojë i lirë e me dinjitet.

Heroizmi dhe sfida më e madhe sot është refuzimi i pushtetit dhe mosbindja ndaj tiranisë, mos bashkëpunimi në mënyrë sekrete me të, qoftë edhe me qeveritë e vendeve muslimane – që në thelb aplikojnë një sistem sekularist britanik, se si të bësh durim nga penalizimi që vjen nga refuzimi i bindjes ndaj qeverive të padrejta e tiranike – bindje në të keqe e në korrupsion.

Sa më shumë që muslimanët ta refuzojnë bashkëpunimin sekret e korruptiv me shtetin, aq më shumë do të shtohet uniteti mes tyre, dhe mundësia për të arritur një rezultat pozitiv në lidhje të drejtat tona për të jetuar me dinjitet e me drejtësi është më e madhe.

Muslimani e rrespekton pushtetin, i bindet atij në aspektin legal, dhe i shërben shoqërisë, por vetëm mbi kontrata transparente, të qarta, e mbi baza legale. Çdo favor apo çdo përfitim nga pushteti në mënyrë korruptive, sekrete, apo duke anashkaluar kontratat ligjore e legale jo vetëm që është diçka haram në fenë islame, por kjo gjë do t’i kthehet në barrë një muslimani të tillë. Pushteti nuk jep asgjë falas. Pushteti nuk punon mbi baza bamirësie. Prandaj, sa më shumë të refuzohet pushteti, sepse ky pushtet stimulon vetëm korrupsion e marrëdhënie sekrete, aq më shumë do të ketë drejtësi në shoqëri.

Kurani e ka përmbledhur një gjë të tillë shumë shkurt:

“Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në mirësi dhe drejtësi dhe mos bashkëpunoni në mëkat e dhunim. Dhe kini frikë Allahun; s’ka dyshim se Allahu është ndëshkues i ashpër.” Surah el-Maidah 2.

Sabri Lushi

Janar 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post